OKB: Akullnajat mund të zhduken deri në fund të shekullit XXI, rrezik për bujqësinë globale dhe furnizimin me ujë

Një raport i ri i UNESCO-s paralajmëron se akullnajat mund të zhduken deri në fund të shekullit XXI, duke sjellë pasoja të rënda për burimet e ujit, bujqësinë dhe biodiversitetin. Sipas të dhënave, pesë nga gjashtë vitet e fundit kanë shënuar tërheqjen më të shpejtë të akullnajave, ndërsa periudha 2022-2024 ka regjistruar humbjen më të madhe trevjeçare të masës së akullnajave ndonjëherë.

Ekspertët parashikojnë se, me ritmet aktuale të shkrirjes, akullnajat në Kanada, SHBA, Skandinavi, Europë Qendrore, Kaukaz, Zelandë të Re dhe Tropikë do të zhduken brenda këtij shekulli. Deri tani, akullnajat (përjashtuar Grenlandën dhe Antarktikën) kanë humbur mbi 9,000 miliardë tonë akull që nga viti 1975 – ekuivalente me një bllok akulli sa Gjermania me trashësi 25 metra.

Shkrirja e akullnajave dhe reduktimi i reshjeve të borës në zonat malore pritet të ndikojnë dy të tretat e bujqësisë së ujitur në botë, ndërsa furnizimi me ujë për qindra miliona njerëz mund të vihet në rrezik. Sipas raportit, kjo situatë rrit gjithashtu rreziqet natyrore si përmbytjet, sidomos gjatë periudhave të nxehta dhe të thata.

Në këtë kuadër, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka shpallur vitin 2025 si Vitin Ndërkombëtar të Ruajtjes së Akullnajave, ndërsa 21 Marsi do të shënohet si Dita Botërore e Akullnajave për të rritur ndërgjegjësimin mbi rolin e tyre në ekosistemin global.