OBSH: Rreth 8 mijë pacientë kanë nevojë të transportohen nga Gaza për mjekim

Rreth 8,000 pacientë, tre të katërtat e të cilëve janë viktima të luftës së Izraelit në Gaza, duhet të transportohen për të marrë kujdesin e duhur jashtë Rripit të Gazës, tha sot Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke shprehur zhgënjimin e saj që vetëm një numër i vogël pacientësh ishin në gjendje për t’u transferuar nga enklava palestineze.

Për OBSH-në, e cila ka vendosur ekipe në terren për të ofruar mbështetje logjistike dhe mjekësore, zhvendosja e pacientëve nga Gaza do të ofronte një lehtësim për ekipet mjekësore dhe spitalet që luftojnë për të vazhduar operimin në një zonë lufte.

“Ne vlerësojmë se 8,000 Gazanë duhet të zhvendosen nga Gaza”, tha Rick Peppercorn, përfaqësuesi i OBSH-së në territoret palestineze, gjatë një konference për shtyp në Gjenevë.

Në total, rreth 6000 janë viktima të luftës, plagosje të shumta, djegie dhe të amputuar.

2000 janë pacientë që nuk mund të marrin kujdesin që u nevojitet në Gaza, ku sistemi shëndetësor është në prag të kolapsit.

Para fillimit të luftës më 7 tetor 2023, 50 deri në 100 pacientë transportoheshin çdo ditë nga Gaza në Jerusalemin Lindor ose Bregun Perëndimor. Gjysma e tyre ishin të sëmurë me kancer.

Nga 7 tetori deri më 20 shkurt, vetëm 2293 pacientë mundën të largoheshin nga Rripi i Gazës për trajtim mjekësor.