“Nuk do të dorëzohem!” Mesazhi i kryebashkiakut të Stambollit para arrestimit, mijëra policë rrethojnë shtëpinë e tij
Një operacion i madh policor është zhvilluar në Stamboll mëngjesin e sotëm, ku 3000 forca policore rrethuan banesën e kryebashkiakut Ekrem Imamoglu, përpara se ta arrestonin atë si pjesë e një hetimi për korrupsion dhe lidhje me terrorizmin.
Prokuroria e Stambollit ka lëshuar 100 urdhër-arreste, përfshirë figura të rëndësishme pranë Imamoglu, si Murat Ongun, Tuncay Yilmaz, Fatih Keles dhe Ertan Yildiz. Arrestimi i tij ka shkaktuar tronditje në Turqi, pasi ai shihej si rivali kryesor i Erdogan për zgjedhjet presidenciale të ardhshme.
Mesazhi i Imamoglu para arrestimit: “Nuk do të dorëzohem!”
Para se të prangosej, Imamoglu publikoi një video nga shtëpia e tij, ku u shpreh i vendosur për të mos u dorëzuar:
“Një grusht njerëzish po përpiqen të përmbysin vullnetin e kombit tonë dhe dërguan qindra policë në shtëpinë time. Dua t’ju them se nuk do të dorëzohem. Fatin ia besoj kombit. Unë do të vazhdoj të luftoj kundër politikanëve që e përdorin këtë proces për të shtypur opozitën,” – tha ai.
Pamjet e transmetuara nga mediat turke tregojnë forca të shumta policore dhe të paktën 20 automjete të rrethuar shtëpinë e tij.
Akuza dhe hetimet
Sipas Prokurorisë së Stambollit, Imamoglu akuzohet për:
• Krijimin e një organizate kriminale
• Zhvatje dhe ryshfet
• Manipulim tenderash
• Lidhje me organizatën terroriste PKK/KCK
Hetimi ka në fokus veprimet e kompanisë Medya AS dhe projektin “Urban Consensus”, që dyshohet se kanë përfituar fonde në mënyrë të paligjshme.
Reagime të ashpra nga opozita: “Një grusht shteti kundër demokracisë”
Arrestimi i Imamoglu ka shkaktuar protesta të mëdha në Stamboll, ndërsa lideri i opozitës, Özgür Özel, e cilësoi këtë veprim si një grusht shteti politik:
“Marrja e vendimeve në emër të kombit, zëvendësimi i vullnetit të qytetarëve apo përdorimi i dhunës për ta penguar atë, është një grusht shteti. Aktualisht, dhuna po përdoret për të penguar kombin të vendosë presidentin e tij të ardhshëm. Ne nuk do të tërhiqemi. Në fund do të fitojë edhe një herë vullneti popullor,” – u shpreh ai.
Ndërkohë, autoritetet kanë ndaluar çdo protestë në qytet për katër ditë, në një përpjekje për të frenuar reagimet popullore. Arrestimi i Imamoglu vjen vetëm disa javë pas humbjes së rëndë të partisë së Erdogan në zgjedhjet lokale, një sinjal që ka rritur tensionet politike në vend.