“Njeri i pashëm”, Biden ‘tallet’ me foton e arrestimit të Trump

Joe Biden reagoi për herë të parë për foton e arrestimit të Donald Trump, duke thënë se paraardhësi i tij është një “njeri i pashëm”.

“E pashë në TV. Njeri i pashëm”, tha duke buzëqeshur presidenti 80-vjeçar i SHBA- së kur u pyet nga gazetarët në lidhje me foton e arrestimit të rivalit të tij të madh politik.

Donald Trump të enjten u bë presidenti i parë aktual ose ish-president i SHBA-së që iu nënshtrua procesit ligjor të arrestimit, fotografimit, marrjes së gjurmëve të gishtave dhe mbajtjes për 20 minuta në një burg të Atlantës me akuzën e komplotit për të manipuluar rezultatin e zgjedhjeve në Xhorxhia në 2020.

Pasi pagoi garancinë prej 200 mijë dollarësh dhe u lirua, ai postoi në X (Twitter) foton historike të realizuar gjatë arrestimit të tij në Gjykatën e Qarkut Fulton.

“Ata këmbëngulën për një foto arrestimi dhe unë pranova ta bëja”, tha Trump për Fox Digital pas ngjarjes.