Komisioni Europian ka njoftuar sot se do të ofrojë ndihmë urgjente humanitare prej 6.5 milionë euro për Turqinë dhe Sirinë përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile.
Për Sirinë , Komisioni njoftoi një ndihmë fillestare emergjente humanitare prej 3.5 milionë euro. Kjo shumë mbulon aksesin në strehim, ujë dhe kanalizime për njerëzit në nevojë, si dhe sigurimin e artikujve të ndryshëm shëndetësorë dhe mbështetjen e operacioneve të kërkim-shpëtimit.
Për Turqinë, Komisioni ka njoftuar një ndihmë fillestare prej 3 milionë euro. Kjo shumë i shtohet 31 ekipeve të kërkim-shpëtimit dhe 5 ekipeve mjekësore të ofruara nga 20 shtete anëtare të BE-së dhe Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së.Ekipet përfshijnë mbi 1500 shpëtimtarë dhe 100 qen kërkimi dhe shpëtimi.
Komisioni vëren se ky është një nga operacionet më të mëdha të BE-së të kërkim-shpëtimit të kryer ndonjëherë përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së.