Kur po bëhet pothuajse një vit nga shpërthimi i tubacioneve Nord Stream ende nuk ka asnjë provë të mirëfilltë se çfarë dhe kush e shkaktoi atë.
Së fundmi inteligjenca amerikane duke cituar edhe zyrtarë të lartë në një artikull të publikuar në New York Times tregon se një grup pro-ukrainas qëndronte pas sulmeve të vitit të kaluar. Shpërthimet nënujore, shtatë muaj pas konfliktit Rusi-Ukrainë, në tubacionet midis Rusisë dhe Gjermanisë ndodhën në zonat ekskluzive ekonomike të Suedisë dhe Danimarkës në Detin Baltik.
Të dy vendet kanë arritur në përfundimin se shpërthimet ishin të qëllimshme , por nuk kanë thënë se kush mund të jetë përgjegjës. Raporti i Neë York Times citoi zyrtarë amerikanë se nuk ka prova indirekte se presidenti Volodymyr Zelenskiy ose ndihmësit e tij kryesorë ishin të përfshirë ose se autorët po vepronin me urdhër të ndonjë zyrtari të qeverisë ukrainase.
Ukraina ka mohuar çdo përfshirje në sulmin e shtatorit në tubacionet Nord Stream. Mykhailo Podolyak, një këshilltar i presidentit ukrainas, tha se Ukraina “absolutisht nuk ishte e përfshirë”. Moska e hodhi poshtë raportin si një “përpjekje të koordinuar për të manipuluar lajmet”.
Shtetet e Bashkuara dhe NATO i kanë quajtur sulmet e 26 shtatorit të vitit të kaluar si “një akt sabotimi”, ndërsa Rusia ka fajësuar Perëndimin dhe ka bërë thirrje për një hetim të pavarur pa ndikimin e shteteve të tjera.
Mediat gjermane shprehen se hetuesit besojnë se kanë identifikuar varkën e përdorur që u përdor për të vendosur eksplozivët. Dërgesat e gazit rus ishin pezulluar përpara shpërthimeve. Rusia mbylli gazsjellësin Nord Stream 1 në gusht të vitit të kaluar, duke thënë se kishte nevojë për mirëmbajtje ndërsa Nord Stream 2 nuk ishte vënë kurrë në shërbim. Udhëheqësit e NATO-s dhe perëndimorëve nuk kanë akuzuar drejtpërdrejt Rusinë për sulmin e tubacioneve të veta, megjithëse BE-ja ka thënë më parë se Rusia përdor tubacionet e saj të gazit si një armë kundër Perëndimit.