Nis hetimi për tragjedinë në Indi

Hetimi në lidhje me përplasjen e dy trenave në Indi ka nisur ku i janë bashkuar disa zyrtarë dhe dëshmitarë. Bordi i Hekurudhave të Indisë, organi më i lartë ekzekutiv, ka rekomanduar që Byroja Qendrore e Hetimit të fokusohet për shkakun e katastrofës.

“Ne duhet të shkojmë drejt normalizimit… Përgjegjësia jonë nuk ka përfunduar ende,” u tha gazetarëve ministri i hekurudhave. Hetimet paraprake treguan se Coromandel Express, i cili ishte nisur nga Kalkuta drejt Chennai, hyri në binarët e gabuar  duke u përplasur me trenin e mallrave. Dyshohet se dalja e trenit u shkaktua nga një gabim në sistemin e sinjalizimit elektronik.

Rreth 120 kilometra  në veri, në Kharagpur, në shtetin e Bengalit Perëndimor, zyrtarët e hekurudhave dhe dëshmitarët u mblodhën për të paraqitur prova në lidhje me aksidentin tragjik. Ndërkaq shërbimet e trenave kanë nisur punën pas përplasjes së trenave që i mori jetën 300 personave dhe plagosi mbi 1 mijë të tjerë.

India ka një ndër rrjetet më të mëdhaja hekurudhore në botë që  transporton më shumë se 13 milionë njerëz çdo ditë, por infrastruktura është e vjetëruar që shpeshherë është bërë shkak për përplasjen e trenave.