Ngrihet alarmi nga prania e sasisë së madhe të uraniumit në Iran

SHBA dhe Evropa kanë ngritur alarm për Iranin se vendi ka prodhuar një sasi të vogël uraniumi të pasuruar me 84 për qind pastërti, dhe thanë se Irani duhet të japë shpjegim se si ndodhi kjo gjë.

Mbikëqyrësi bërthamor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara gjeti grimca të uraniumit të pasuruara deri në 83.7 për qind në Fordou, një objekt i gërmuar në një mal, që është lokacioni i dytë i ditur që konverton dhe pasuron vazhdimisht uraniumin deri në 60 për qind.

“Për sa i përket grimcave të zbuluara të uraniumit të pasuruar në 83.7 për qind, të gjithë anëtarët e Bordit duhet të jenë shumë të shqetësuar nga ky zhvillim alarmant”, u tha në një deklaratë të SHBA-ve në takimin tremujor të Bordit të Guvernatorëve 35-vendesh të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore.

Gjithashtu, SHBA-të ngrehën shqetësim për aktivitetet bërthamore të Iranit duke theksuar faktin që “këto zhvillime të reja ndodhën në një strukturë shumë të fortifikuar që fillimisht ishte ndërtuar fshehurazi dhe vetëm thellon shqetësimet tona”.

Shtetet e Bashkuara dhe tre fuqitë kryesore të Evropës – Britania, Franca dhe Gjermania, të njohura si E3 – janë përmbajtur në implementimin e një rezolute që dënon Iranin në këtë takim të bordit, por bënë të qartë se mund të veprojnë ndryshe në një takim të ardhshëm.