Trump letër Vuçiç! Nga 1 gushti 35% tarifa ndaj mallrave serbe, paralajmërim nëse i përgjigjet

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vonuar zyrtarisht vendosjen e tarifave më të larta për disa produkte të importuara, por ka paralajmëruar se masat e ashpra tregtare do të hyjnë në fuqi së shpejti për 14 vende, përfshirë edhe Serbinë.

Në një përpjekje për të forcuar kontrollin ekonomik dhe për të mbrojtur prodhuesit amerikanë, Trump ka nisur letra zyrtare liderëve të këtyre vendeve, duke i informuar se pauza 90-ditore për tarifat,  e cila skadon këtë javë nuk do të zgjatet më.

Në letrat drejtuar vendeve si Afrika e Jugut, Malajzia, Mianmari, Laosi dhe Kazakistani, Trump paralajmëroi vendosjen e tarifave që variojnë nga 25% deri në 40%, në varësi të llojit të mallrave që eksportohen drejt SHBA-së.

Në rastin e Serbisë, presidenti amerikan i ka dërguar një letër homologut Aleksandar Vuçiq, duke e njoftuar se për produktet serbe që hyjnë në tregun amerikan do të aplikohet një tarifë 35%. Trump ka paralajmëruar gjithashtu se çdo përpjekje për të reaguar me tarifa të kundërta do të përballet me masa shtesë. “Nëse përgjigjeni me tarifa reciproke, ato do t’i shtohen tarifës ekzistuese prej 35%”, thuhet në letrën drejtuar Vuçiqit.

Zhvillimi i fundit tregon për një qasje më të ashpër të administratës Trump ndaj tregtisë ndërkombëtare, duke rritur tensionet me partnerët e huaj ekonomikë dhe duke riforcuar politikën “Amerika e Para”. Analistët vlerësojnë se këto masa mund të ndikojnë negativisht në partneritetet tregtare, por Shtëpia e Bardhë argumenton se ato janë të nevojshme për të mbrojtur ekonominë amerikane nga “praktikat e padrejta tregtare”.