Netanyahu dhe Trump do të takohen sot, ja çfarë pritet të ndodh
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet të takohet sot në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, i cili dje tha se shpreson të arrijë një marrëveshje “këtë javë” midis Izraelit dhe Hamasit për të shpallur një armëpushim dhe për të liruar pengjet që mbeten të mbajtura në Rripin e Gazës për ditën e 640-të.
Negociatat indirekte filluan mbrëmë në Doha me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.
Përpara nisjes për në SHBA, Kryeministri Netanyahu konsideroi se takimi i tij me Presidentin Trump mund të “kontribuonte në promovimin e rezultatit që të gjithë shpresojmë”.
Republikani po bën presion për shpalljen e një armëpushimi të ri në Rripin e Gazës, i zhytur në një situatë katastrofike humanitare pas 21 muajsh lufte.
Benjamin Netanyahu tha gjithashtu se u dha negociatorëve të tij “udhëzime të qarta”: të arrinin një marrëveshje “mbi kushtet që pranojmë”.
Sipas burimeve të mediave, propozimi parashikon një armëpushim për 60 ditë, lirimin e rreth gjysmës së pengjeve – dhjetë – që mbeten gjallë dhe dorëzimin e trupave të të vdekurve, në këmbim të lirimit të palestinezëve të mbajtur nga autoritetet izraelite.
Ndryshimet që lëvizja islamiste palestineze dëshironte, sipas të njëjtave burime, kanë të bëjnë me tërheqjen e trupave izraelite nga enklava, garancitë se armiqësitë nuk do të rifillojnë pas këtyre 60 ditëve, si dhe lejimin e OKB-së dhe organizatave të njohura ndërkombëtare humanitare për t’u marrë përsëri me shpërndarjen e ndihmës humanitare.