Ndotja e ajrit është shkaktari për mbi 1200 vdekje të parakohshme në vit për fëmijët dhe adoleshentët

Ndotja e ajrit vret më shumë se 1200 fëmijë dhe adoleshentë në vit në Evropë. Në këtë përfundim ka dalë një raport i publikuar nga Agjencia Evropiane e Mjedisit .

Ky raport vë në dukje se pavarësisht përmirësimeve të bëra në vitet e fundit, niveli i  ndotjes së  ajrit në shumë vende evropiane mbetet mbi nivelet e këshilluara të  Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Fëmijët dhe adoleshentët janë më të prekur ndaj ndotjes së ajrit , sepse trupi dhe sistemi i tyre imunitar eshte ende në zhvillim. Mjeket shprehen se ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit mund të ndikojë në funksionin dhe zhvillimin e mushkërive.

Kjo mund të çojë në sëmundje të frymëmarrjes dhe kardiovaskulare, duke përfshirë astmën, e cila prek nëntë për qind të të rinjve në Evropë.Efektet e ndotjes fillojnë edhe para lindjes, pasi ekspozimi i nënave ndaj ndotjes së ajrit  është i lidhur me peshën e ulët të foshjave  dhe lindjet e parakohshme. Në këtë studim u përfshinë 30 vende, duke përfshirë 27 vendet anëtare të  Bashkimit Evropian.