BASHKËKRYETARI I KOMITETIT TË MJEKËVE ROBERT LAURENSON: Pra, mjekët e rinj gjatë 15 viteve të fundit kanë humbur 26.1% të pagës së tyre për shkak të inflacionit. Dhe gjithçka që kërkojmë është që kjo pagë të rikthehet, sepse asnjë mjek i ri sot nuk vlen më pak se një mjek i ri në 2008-n.
Mijëra mjekë të rinj në Britani dolën në rrugë në një grevë tre-ditore teksa kërkojnë një pagë më të mirë dhe më pak orë pune. Greva është e fundit që përfshin stafin e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar, pas largimeve të disa infermierëve, mjekët e ndihmës dhe punëtorë të tjerë që kërkuan një rritje pagash.
Shërbimi Shëndetësor Kombëtar ka deklaruar se do t’i japë përparësi kujdesit urgjent ndaj pacientëve gjatë grevës, por kjo mund të vijë me koston e takimeve rutinë, operacioneve dhe madje edhe disa trajtimeve urgjente të sëmundjeve si kanceri. Sindikata Shoqata Mjekësore Britanike ka deklaruar se paga e tyre është e barabartë me një barist.
BASHKËKRYETARI I KOMITETIT TË MJEKËVE, DR ROBERT LAURENSON: Ministri i Shëndetësisë Steve Barclay organizoi një takim dhe më pas nuk u paraqit në të. Më 24 shkurt ne shpallëm datat për raundin tonë të parë të grevës dhe më 2 mars ai erdhi. Ai erdhi në tryezë dhe më në fund, bisedimet mund të fillonin dhe më pas ai pranoi se nuk kishte mandat që të ndërmerrte një rritje pagash . Kjo është krejtësisht zhgënjyese. Nëse Rishi Sunak dëshiron që negociatat të fillojnë, unë mendoj se mjekët duhet të shkojnë drejtpërdrejt te vetë ai.
Kryeministri Rishi Sunak është nën presion pas largimeve të punonjësiëve të shëndetësisë. Një valë më e gjerë grevash në Britani, duke përfshirë qindra mijëra punonjës të sektorit publik, vjen në një kohë të presionit të financave publike dhe ndërsa qeveria e Sunak përgatitet të hartojë një buxhet të ri të mërkurën.
Ndërkaq protestat vijojnë edhe në disa vende të tjera europiane. Në Francë dërgesat e karburantit nga rafineritë franceze u bllokuan për të gjashtën pasi Senati votoi për të miratuar planin e reformës së pensioneve. Në depon e karburantit të TotalEnergies në Francën veriore, disa qindra sindikalistë dogjën goma, duke ndaluar një numër kamionësh të hynin ose të dilnin.
41% e operatorëve të TotalEnergies iu bashkuan grevës. Nga ana tjetër aeroportet e Berlinit, Bremenit dhe Hamburgut ndëprenë fluturimet për shkak grevës për paga më ta larta.
Kjo është e fundit në një seri grevash dhe protestash që kanë goditur ekonomitë kryesore evropiane, duke përfshirë edhe Spanjën, pasi çmimet më të larta të ushqimit dhe energjisë po rëndojnë tek familjet pas pandemisë COVID-19 dhe luftës në Ukrainë.