Në takimin e sotëm të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian në Bruksel, ministrat e vendeve anëtare do të diskutojnë për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Atyre do t’iu bashkohen edhe ministrat e Punëve të Jashtme nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas njoftimeve nga Bashkimi Evropian temat kryesore që do të jenë në rend dite janë procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, situata në Bosnje e Hercegovinë, bashkëpunimi rajonal dhe ndikimi i Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Bashkimi Evropian pritet të përsërisë edhe një herë përkushtimin për të vazhduar ndihmën për rajonin, por edhe të kërkojë nga këto vende të kryejnë obligimet e marra për të zbatuar reformat dhe për t’u përshtatur edhe me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian. Ministri i Jashtëm i Suedisë Tobias Billstrom, vendi i së cilit ka kryesimin e radhës së BE-së, ka thënë në prag të takimit se “vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në BE, por ne do të vazhdojmë të presim nga ta përshtatje me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian“.
Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim edhe për kërcënimet që dëgjohen në Bosnje e Hercegovinë për rrezikimin e integritetit territorial të këtij vendi. Thirrje të tilla vazhdojnë të vinë nga lideri i Serbëve të Bosnje e Hercegovinës Millorad Dodik. Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, pritet që edhe nga ky takim të përsëritet thirrja për progres në procesin e normalizimit të raporteve dhe zbatimin e të gjitha obligimeve që palët kanë marrë përsipër në këtë proces.