Militantët në Gaza godasin Izraelin me më shumë se 20 raketa

 

Militantët në Gaza goditën Izraelin me më shumë se 20 raketa, pas vdekjes së një të burgosuri palestinez, i cili ishte futur në grevë urie në një burg të Izraelit.

Tre punëtorë të huaj u plagosën nga një sulm me raketa, i cili ndodhi pasi tanket izraelite bombarduan Gazën, në përgjigje të një sulmi të mëparshëm raketash. I burgosuri, Khader Adnan, ishte një figurë e lartë e Xhihadit Islamik, i akuzuar për vepra terrorizmi.

Autoritetet izraelite thanë se ai e refuzoi kujdesin mjekësor gjatë grevës së tij 87-ditore. Por, një nga avokatët e tij i akuzoi ato për neglizhencë, ndërsa kryeministri palestinez e përshkroi vdekjen e tij si “vrasje të qëllimshme”.

Gjatë dy dekadave të fundit, Khader Adnan, 45 vjeç, ishte disa herë në paraburgimin izraelit. Ai ishte futur në grevë urie edhe katër herë më parë. Edhe pse të burgosurit palestinezë në burgjet izraelite shpesh mbajnë qëndrim duke refuzuar ushqimin, kjo besohet të jetë vdekja e parë e tillë në tri dekada.

Adnan e nisi grevën e pestë të urisë menjëherë pasi u ndalua nga forcat izraelite në shtëpinë e tij në Arraba, pranë qytetit Jenin në veri të Bregut të pushtuar Perëndimor, më 5 shkurt. Autoritetet izraelite e akuzuan atë për mbështetje të terrorizmit, lidhje me një grup terrorist dhe nxitje, dhe ai do të dilte në gjyq këtë muaj. Shërbimi i Burgjeve të Izraelit njoftoi të martën se Adnan “është gjetur herët në mëngjes në qelinë e tij pa ndjenja” dhe se është dërguar në një spital, ku është konstatuar vdekja e tij.

Por, kryeministri i Autoritetit Palestinez, Mohammed Shtayyeh, tha se Izraeli “ka kryer një atentat të qëllimshëm kundër të burgosurit Khader Adnan, duke refuzuar kërkesën e tij për lirimin e tij, duke e neglizhuar atë nga aspekti mjekësor dhe duke e mbajtur në qeli pavarësisht seriozitetit të gjendjes së tij shëndetësore”.

Xhihadi Islamik  i cili është grupi i dytë më i fuqishëm militant në Rripin e Gazës, të kontrolluar nga Hamasi – tha se lufta e tij do të vazhdojë dhe se armiku “do ta kuptojë edhe një herë se krimet e tij nuk do të kalojnë pa përgjigje”.

Sipas grupit Addameer, në burgjet izraelite gjenden rreth 4.900 palestinezë. Shumica janë duke vuajtur dënimet, pasi janë shpallur fajtorë nga gjykatat izraelite, ose mbahen për t’u marrë në pyetje, janë të akuzuar ose janë në gjykim.