Merret peng në Paris babai i bosit të kriptomonedhave, rrëmbyesit i presin njërin gisht
Policia franceze ka arritur të shpëtojë babain e një sipërmarrësi të pasur të kriptomonedhave pasi ai u mor peng në kërkim të shpërblimit. Burri u rrëmbye të enjten në mëngjes në Paris, tha zyra e prokurorit.
“Viktima doli të ishte babai i një personi që e bëri pasurinë e tij në kriptomonedha dhe incidenti u shoqërua me një kërkesë për shpërblim,” tha deklarata, pa dhënë emrat e tyre ose detaje të tjera rreth identitetit të tyre.
Autoritetet thanë se ai u trajtua për lëndime, por nuk dhanë detaje. Mediat franceze raportuan se pengmarrësit e dyshuar i prenë njërin gisht burrit.
Policia arrestoi pesë persona, katër ishin brenda ose afër shtëpisë ku burri ishte mbajtur rob, ndërsa i pesti ishte në timonin e një automjeti që mendohet se është përdorur për rrëmbimin e dyshuar, tha zyra e prokurorit.
Thuhet se hetimi i policisë po shqyrton një sërë akuzash të mundshme penale, duke përfshirë rrëmbimin “me torturë ose një akt barbar”.
Në janar, policia tha se një bashkëthemelues i firmës franceze të kriptovalutave Ledger, David Balland, u rrëmbye gjithashtu me gruan e tij nga shtëpia e tyre në rajonin Cher të Francës qendrore.
Policia tha se bëri 10 arrestime dhe se rrëmbyesit e dyshuar kërkuan një shpërblim në kriptomonedha nga një tjetër bashkëthemelues i Ledger.
Një bastisje nga njësia elitare e Grupit Kombëtar të Ndërhyrjes së Xhandarmërisë në Francë, e specializuar në situata pengjesh, liroi Balland të nesërmen, dhe një ditë më pas u lirua, përsëri nga GIGN, gruaja e tij, e gjetur e lidhur në një automjet, tha policia.