Teksa marrëdhëniet midis dy ekonomive më të mëdha të Eurozonës u tensionuan, vizita e kryeministres Giorgia Meloni në Francë çoji në një riafirmim të tyre. Kryeministrja italiane u takua me presidentin francez Emmanuel Macron në vizitën e saj të parë në Paris që kur ajo mori drejtimin e Italisë tetë muaj më parë. Shtrëngimi i ngrohtë i duarve me Macron erdhi disa javë pasi ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani anuloi papritur një vizitë në Paris për shkak të deklaratave të ministrit të brendshëm francez për qasjen e Italisë ndaj migracionit.
Meloni u tha gazetarëve se Italia dhe Franca janë dy kombe aleate, dy kombe të rëndësishme, qendrore, protagonistë në Evropë , të cilët duhet të bisedojnë me njëri-tjetrin. Duke folur për emigracionin, kryeministrja theksoi se nuk do të lejojë që Europa të mbizotërohet nga rrjete kriminelësh.
GIORGIA MELONI KRYEMINISTRE E ITALISË: Italia dhe Franca ndajnë një ndjeshmëri të përbashkët për shumë çështje, duke përfshirë migrimin e parregullt nëpër Mesdhe, stabilitetin e Tunizisë dhe Libisë në lidhje me migracionin. Ne pajtohemi, besoj, se duhet të kapërcejmë polemikën e gjatë mbi të ashtuquajturat lëvizje primare dhe dytësore të migrantëve dhe të gjithë të bashkëpunojmë për të frenuar fluksin e parregullt në BE.
Italia dhe Franca janë përplasur për migracionin që kur Meloni mori detyrën vitin e kaluar si liderja e parë e ekstremit të djathtë të Italisë që nga Lufta e Dytë Botërore.Tensionet u rritën në vjeshtë pasi Italia detyroi dorën e Francës të pranonte një anije shpëtimi emigrantësh me 234 persona në bord pasi autoritetet italiane e kishin refuzuar për javë të tëra.
Mes të tjerash të dy liderët u zotuan të mbështesin Ukrainën në përpjekjet e saj të luftës kundër pushtimit rus. Duke nënvizuar angazhimin franko-italian, Meloni tha se sistemi i mbrojtjes ajrore SAMP/T-MAMBA mbi të cilin të dy vendet kanë punuar për muaj të tërë është tashmë funksional në fushën e betejës në Ukrainë.