Meloni dhe Sunak nënshkruajnë memorandume për emigrantët
Forcimi i dialogut dhe bashkëpunimit strategjik ndërmjet Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në koherencë të plotë. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe ai britanik Rishi Sunak u takuan për të forcuar më shumë marrëdhëniet mes shteteve për një seri çështjesh. Së bashku ata nënshkruan një sërë memorandumesh në fushën e mbrojtjes, ekonomisë , klimën , energjinë si dhe emigrantët.
RISHI SUNAK KRYEMINISTËR I BRITANISË SË MADHE: Unë mendoj se vlerat midis dy vendeve tona janë shumë të përafruara, prandaj ne mund të punojmë kaq mirë së bashku në sfidat e përbashkëta, pavarësisht nëse është përgjigjja ndaj pushtimit të paligjshëm të Putinit në Ukrainë, por edhe trajtimin e migracionit të paligjshëm, që është diçka që është e përbashkët për të dy ne.
Jashtë Doëning Street , kryeministrja italiane u përball me një grup protestuesish që mbanin pankarta ku lexonin “Jo racizmit” , “Refugjatët e mirëpritur” dhe “Jo Melonit fashiste”.
Ajo nënvizoi se “absolutisht pajtohet” me punën që po bënte Sunak për të kundërshtuar luftën kundër trafikantëve dhe emigracionit klandestin. “Lufta kundër kontrabandistëve dhe emigracionit të paligjshëm është diçka që dy qeveritë po e bëjnë shumë mirë. Unë po ndjek punën tuaj dhe jam absolutisht dakord me punën tuaj”, u shpreh Meloni.
Mbretëria e Bashkuar së fundmi ka lidhur një pakt me Francën për emigrantët, megjithëse kalimet e parregullta kufitare vazhdojnë të rriten. Italia, e cila regjistroi katër herë më shumë ardhje të paligjshme në vitin 2023 sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2022, është në një situatë të ngjashme, pavarësisht lutjeve të vazhdueshme drejtuar Brukselit për ndihmë. Franca ka bërë të ditur se do të mobilizojë 150 policë dhe xhandarë shtesë për t’u përballur me presionin e shtuar migrator në kufirin italian.
Ndër të tjera Meloni deklaroi se të dyja vendet do të bëjnë më shumë në fushën e mbrojtjes duke u nisur nga agresioni rus në Ukrainë. Ndryshe nga disa populistë të ekstremit të djathtë në Perëndim, Meloni ka mbajtur një pozicion fort pro NATO-s, pro-evropian ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë.