Meloni dhe liderë të ekstremit të djathtë, të ftuar në inaugurimin e Trump/ Analistët: Kryeministrja italiane, ndërlidhësja kryesore e SHBA-së me Europën
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Donald Trump si president i SHBA-ve, duke iu bashkuar liderëve të tjerë të ekstremit të djathtë evropian, përfshirë Éric Zemmour dhe figura të tjera të njohura për qëndrimet e tyre nacionaliste.
Pjesëmarrja e Melonit në inaugurimin e planifikuar të zhvillohet në Uashington DC u konfirmua nga zyra e saj dhe konsiderohet një përforcim i marrëdhënieve të saj me Trump. Meloni realizoi një vizitë të shpejtë në Mar-a-Lago, rezidenca private e Trump, më herët këtë muaj, ku presidenti i zgjedhur e përshkroi atë si një “grua fantastike” që “po mahnit Evropën”.
Meloni, liderja e partisë “Vëllezërit e Italisë” me origjinë neofashiste, ka qenë prej kohësh një mbështetëse e Trump dhe e politikave të tij konservatore, duke i konsideruar si model për Italinë. Edhe pse ka ndërtuar marrëdhënie të mira me presidentin aktual Joe Biden, ajo ka deklaruar se bashkëpunimi me një lider konservator si Trump do të forconte lidhjet mes Italisë dhe SHBA-së.
Ceremonia do të mbledhë disa figura të rëndësishme të ekstremit të djathtë, përfshirë Éric Zemmour (Francë), Nigel Farage (Britani), dhe Tino Chrupalla (Gjermani). Edhe lideri argjentinas Javier Milei, i njohur për qëndrimet populiste, do të jetë i pranishëm. Viktor Orbán i Hungarisë, një tjetër mbështetës i Trump, u ftua, por nuk do të marrë pjesë.
Sipas “The Guardian”, analistët sugjerojnë se marrëdhëniet e ngushta të Melonit me miliarderin Elon Musk dhe mbështetjen e tij për partitë konservatore evropiane mund të krijojnë një ndikim të ri politik mes Europës dhe SHBA-së. Gjatë një konference për shtyp, Meloni mbrojti Trump dhe Musk, duke minimizuar shqetësimet për ndikimet e tyre në politikën globale.
Meloni pritet të luajë një rol kyç si ndërmjetëse mes SHBA-së dhe Europës gjatë mandatit të dytë të Trump, duke forcuar pozicionin e saj si një nga lideret konservatore më të fuqishme në botë.