Meksikë/ Marina sekuestron 42 ton metamfetaminë në operacionin më të madh antidrogë në vend
Një nga operacionet më të mëdha antidrogë në historinë e Meksikës është realizuar nga Marina Ushtarake, e cila ka sekuestruar 42 ton metamfetaminë në disa laboratorë klandestinë në shtetin e Michoacán. Operacioni u zhvillua në kuadër të luftës së shtetit meksikan kundër karteleve të drogës, dhe sipas autoriteteve, vlera e drogës së kapur kalon 50 milionë dollarë.
Sipas mediave ndërkombëtare, sekuestrimi masiv u bë gjatë një ndërhyrjeje ushtarake në zona të dyshuara si qendra të përpunimit të drogës sintetike. Laboratorët e gjetur ishin të pajisur me materiale për prodhimin në shkallë të gjerë të metamfetaminës, një nga drogat më të rrezikshme që shpërndahet në tregjet ndërkombëtare, sidomos drejt SHBA.
Operacioni vjen në një kohë kur Meksika është nën presion të madh ndërkombëtar, veçanërisht nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump, për të ndalur trafikun e drogave me origjinë nga territori i saj. Trump ka ndërmarrë një “fushatë agresive” për të bllokuar hyrjen e drogave, veçanërisht fentanilit, në Shtetet e Bashkuara dhe ka përmendur luftën kundër trafikimit si një nga arsyet pse vendosi tarifa për importet nga Meksika.