Me vrap mes aeroportit, 35-vjeçari përplaset nga motorri dhe humb jetën
Një ngjarje e rëndë dhe e pazakontë ka ndodhur këtë të martë në aeroportin Orio al Serio të Bergamos, ku një burrë humbi jetën pasi u përplas me motorin e një aeroplani në pistë.
Sipas burimeve zyrtare, viktima nuk ishte as punonjës i aeroportit dhe as pasagjer, por një person që kishte hyrë në pistë në mënyrë të paligjshme dhe të qëllimshme, me sa duket me qëllimin për t’i dhënë fund jetës.
35-vjeçari dyshohet se ishte ndjekur nga policia, e cila nuk arriti ta ndalonte ndërsa ai vraponte drejt një avioni që ndodhej në lëvizje. Ai u përplas fatalisht me motorin e avionit dhe humbi jetën në vend. Mbeten ende të paqarta arsyet që e çuan viktimën në këtë akt ekstrem dhe mënyra si arriti të hyjë në pistën e aeroportit nga jashtë zonës së kontrolluar.
Kompania Sacbo, që menaxhon aeroportin e Bergamos, njoftoi se operacionet e fluturimit u pezulluan përkohësisht:
“Fluturimet në aeroportin e Milanos dhe Bergamos u ndërprenë nga ora 10:20 deri në orën 12:00 për shkak të një incidenti të ndodhur në pistën e taksive. Shkaqet janë nën hetim nga autoritetet përkatëse”.
Trafiku ajror rifilloi në mënyrë të rregullt pas orës 12:00, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vijim. Autoritetet italiane nuk kanë bërë ende publike identitetin e viktimës.