Mbahet sot Konferenca Islame Gjermane, do diskutohet antisemitizmi dhe armiqësia ndaj myslimanëve
Konferenca Gjermane e Islamit mblidhet nën hijen e terrorit dhe dhunës në Lindjen e Mesme, por edhe nën hijen e sulmeve të shumta ndaj hebrenjve në Gjermani.
Data e mbajtjes së konferencës ishte caktuar prej kohësh. Ndërsa tani mbahet 45 ditë pas sulmit terrorist të Hamasit në qytetet izraelite. Konferenca Islame Gjermane (DIK) mblidhet këtë të martë dhe ky është takimi i parë pas disa vitesh. Dy ditë do të bisedohet për temën “Paqja sociale dhe kohezioni demokratik: lufta kundër antisemitizmit dhe armiqësisë ndaj myslimanëve në kohë të ndarjeve shoqërore”.
Ministria federale e Brendshme, e drejtuar nga ministrja Nancy Faeser (SPD), po merr në konsideratë situatën e rënduar të javëve të fundit. Hebrenjtë në Gjermani po jetojnë përsëri në frikë. Prindërit janë të shqetësuar për fëmijët e tyre në shkolla, të moshuarit po shmangin shkuarjen në sinagoga. Pati sulme kundër objekteve fetare hebreje në disa qytete. Ishin pikërisht demonstratat me mijëra pjesëmarrës që vunë në pikëpyetje ekzistencën e shtetit të Izraelit ose festuan terroristët e Hamasit si luftëtarë të lirisë, ato që përkeqësuan këto shqetësime. Nga ana tjetër, edhe komunitetet dhe shoqatat myslimane po raportojnë një numër në rritje drastike të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj institucioneve dhe besimtarëve të tyre.