Kritikat e Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) në raportin vjetor për të Drejta të Njeriut duhet të shërbejnë për angazhim më të madh të institucioneve në përmirësimin e gjendjes në fushat përkatëse, në veçanti në gjyqësor, si dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, ka deklaruar të martën kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
“Raportet e tilla duhet të përdoren në drejtim të përmirësimit të situatës në shoqëri, sidomos në ato që ne i analizojmë. Besimi në gjyqësor është diçka për të cilin duhet të punojë e tërë shoqëria, dhe para së gjithash organet e drejtësisë. Ne synojmë realizimin e më shumë projekteve, ku unë do ta theksoja procesin e vetingut, që duhet të përfshijë të gjithë funksionarët e emëruar dhe të zgjedhur. Ky proces duhet bërë në bashkëpunim me SHBA-të dhe BE-në”, theksoi Kovaçevski.
Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit ndër të tjera është thënë se megjithëse Maqedonia e Veriut ka një ligj që parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët, ende ka raportime për zyrtarë të përfshirë në korrupsion, shkruan REL.