Lumi më i gjatë i Francës rrezikon të thahet

Lumi Loire më i gjati në Francë ka rënë në nivelin më të ulët këtë fillim viti për shkak edhe të temperaturave të pazakonta këtë dimër.

Rëra tanimë ka dal në sipërfaqe, ndërsa pamjet me dron tregojnë praninë e një thatësire që nuk ishte parë për kaq shumë vite duke ngritur kështu shqetësime tek vendasit.

BANOR: Sinqerisht, më duket e trishtueshme sepse nuk na pëlqen ta shohim Loire-n dhe ne e dimë se kjo nuk është ashtu siç duhet. Duhet të bëjmë diçka, nuk e di se çfarë saktësisht. Nuk di shumë rreth  politikave lokale, por mendoj se duhet të veprojmë jo vetëm në nivel lokal dhe global.

Franca po përballet me një nga thatësirat e saj më të këqija të dimrit në histori, duke numëruar 32 ditë radhazi me reshje totale nën 1 milimetër nga 21 janari deri më 22 shkurt,  duke thyer kështu rekordin që nga viti 1959, sipas shërbimit meteorologjik Meteo France.

Meteo France ka deklaruar se vendi e mbylli muajin shkurt me një deficit reshjesh prej rreth 75 për qind. Në Loire disa varka u ndalën pranë brigjeve të lumit, pasi disa peshkatarë hoqën dorë përkohësisht nga peshkimi për shkak të thatësirës.

PESHKATAR: Nuk ka mbetur asnjë peshk. Ditët që niveli i ujit ishte i lartë, uji ishte i turbullt dhe ne kapëm peshk. Tani për tani nuk mund të peshkojmë . Niveli i ujit është shumë i ulët dhe kjo është vërtet e trishtueshme.

Ekspertët shprehen se popullsia me siguri do të përballet me kufizime në përdorimin e ujit mes frikës se edhe vera e këtij viti do të shkaktojë problem të rënda në furnizimin me ujë të pijëshëm. Gjithashtu ata shprehen se situata e Loire është një dukuri e rrallë, pasi nivelet aktuale të ujit janë edhe më të ulëta se sa mund të pritej në këtë dhjetë vjeçar të fundit. Ministria e Ekologjisë e Francës ka vendosur tashmë pesë departamente në gatishmëri të lartë për kufizimet e përdorimit të ujit.

Duke folur në panairin bujqësor të Parisit javën e kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje për një plan të maturimit të ujit, i cili mund të përfshijë mënyra më të mira të riciklimit të ujit të shiut dhe shpërndarjen më optimale të ujit të pijshëm midis konsumatorëve. Megjithatë meterologët shprehen se reshjet normale të shiut mund të rigjallërohen në mbarë vendin deri në javën e ardhshme, gjë që mund të mbushë rezervat e tharjes së Francës.