Lukashenko ofrohet të presë Trump, Putinin dhe Zelenskyn për bisedimet e paqes: Dhënia fund e luftës, një ide e shkëlqyer

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, ka shprehur gatishmërinë për të organizuar bisedime paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, duke përfshirë edhe ish-presidentin amerikan Donald Trump.

“Thuaji Trumpit se e pres këtu me Putinin dhe Zelenskyn”, tha Lukashenko në një intervistë me blogerin amerikan Mario Nawfal, deklaratë e cila u raportua nga agjencia shtetërore bjelloruse Belta.

Bjellorusia, një aleate e ngushtë e Rusisë, është përballur me sanksione nga SHBA dhe BE për mbështetjen e saj ndaj pushtimit rus të Ukrainës dhe për shtypjen e opozitës së brendshme. Megjithatë, Lukashenko u shpreh se çdo marrëveshje paqeje duhet të përfshijë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, pasi “një pjesë e madhe e shoqërisë ukrainase është me të”.

Lukashenko gjithashtu vlerësoi qasjen e Trumpit ndaj konfliktit, duke e cilësuar si një ide të shkëlqyer përpjekjen e tij për t’i dhënë fund luftës. “Trump është një djalë i mirë. Ai flet shumë për këtë dhe tashmë ka bërë diçka për të ndalur luftën në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme”, tha lideri bjellorus.

Deklarata e tij vjen pas pretendimit të Trump se Zelensky i kishte thënë se ishte i gatshëm për bisedime për një “paqe të qëndrueshme” me Rusinë.