Lufta “shfaros” fëmijët në Ukrainë! OKB zbulon shifrat e të vrarëve dhe të plagosurve në tre vite

Sipas një raporti të Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut të publikuar të premten, fëmijët në Ukrainë kanë përjetuar pasojat shkatërruese të luftës, ndërsa të drejtat e tyre janë shkelur në të gjitha fushat e jetës.

Vdekjet, lëndimet dhe ndarja e përhershme e familjeve janë ndër ngjarjet traumatike që kanë përmbysur jetën e fëmijëve të Ukrainës në tre vitet që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Federatës Ruse, sipas një raporti të Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët.

UNHCR në raportin e saj thekson se midis 24 shkurtit 2022 dhe 31 dhjetorit 2024, 669 fëmijë u vranë dhe 1,833 u plagosën, shumë prej tyre si rezultat i përdorimit të gjerë të armëve dhe eksplozivëve në zonat e banuara.

Prej tyre, 521 u vranë dhe 1,529 u plagosën në territorin e kontrolluar nga Ukraina, ndërsa 148 u vranë dhe 304 u plagosën në territorin e pushtuar aktualisht. Shifrat e vërteta ka të ngjarë të jenë shumë më të larta.

Zona të gjera të Ukrainës tani janë të mbushura me mina dhe mbetje shpërthyese të luftës, duke paraqitur rreziqe afatgjata për jetën dhe sigurinë e fëmijëve.

Deri në dhjetor 2024, rreth 737,000 fëmijë ishin zhvendosur brenda vendit nga luftimet. 1.7 milionë të tjerë ishin refugjatë, shumë prej tyre të ndarë nga një prind, zakonisht babai i tyre.

Sipas raportit, pas tre vitesh armiqësi të pandërprera, niveli arsimor i fëmijëve ka rënë, duke kufizuar trajektoren e tyre të ardhshme arsimore dhe aftësinë e tyre për të realizuar plotësisht potencialin e tyre, në punësim dhe më gjerë.