Lufta/ OKB: Ka rrezik të një skenari djallëzor në Gaza! Izraeli po shqyrton përmbytjen e tuneleve të Hamasit

Sipas raportimit të OKB-së, me operacionet tokësore izraelite të përqendruara tashmë në Gazën jugore, kushtet për ofrimin e ndihmës “nuk ekzistojnë” dhe “një skenar edhe më djallëzor” po afrohet. Alarmi i ngritur nga koordinatorja humanitare e Kombeve të Bashkuara për territoret e pushtuara palestineze, Lynn Hastings, është dramatik.

OKB deklaroi po ashtu se pika kufitare Rafah ishte i vetmi vend në Gaza ku shpërndaheshin ndihma të kufizuara, ndërsa në Khan Younis, shpërndarjet pothuajse u ndalën për shkak të intensitetit të luftimeve. Dhjetëra mijëra palestinezë të arratisur nuk kanë ku të qëndrojnë dhe po qëndrojnë në rrugë dhe zona të tjera të hapura “ku kanë ngritur tenda dhe strehimore të improvizuara”. Po ashtu të gjitha shërbimet e telekomunikacionit në Gaza janë ndërprerë.