Lufta/ Blinken sot në Izrael! Dhoma e Përfaqësuesve miraton 14.5 miliardë dollarë ndihma për Jerusalemin
Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken ka mbërritur në Izrael, vizita e tij e dytë në Izrael që kur ka nisur lufta. Blinken pritet të zhvillojë diskutime me qeverinë izraelite. Udhëtimi i tij do të fokusohet në masat për të minimizuar dëmtimin e civilëve në Rripin e Gazës.
Përpara largimit të tij, Blinken tha se do të kërkonte “masa konkrete” nga Izraeli për të siguruar që dëmtimi i civilëve palestinezë të reduktohej, pasi presidenti i SHBA Joe Biden bëri thirrje gjithashtu për pauza humanitare në konflikt.
Dhoma e Përfaqësuesve miratoi të enjten një paketë ndihme ushtarake prej gati 14.5 miliardë dollarësh për Izraelin, një mbështetje e fuqishme amerikane ndaj luftës me Hamasin, por edhe një qasje partiake nga kryetari i ri Mike Johnson, e cila përbën një sfidë të drejtpërdrejtë për demokratët dhe Presidentin Joe Biden.
Ndryshe nga e kaluara, paketa e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve e kryesuar nga Johnson, kërkon që ndihma urgjente të kompensohet përmes shkurtimit të shpenzimeve qeveritare diku tjetër. Presidenti Biden ka thënë se do t’i vërë veton projektligjit, i cili u miratua me 226 vota pro dhe 196 kundër, me 12 demokratë që iu bashkuan shumicës republikane. Dy republikanë votuan kundër.
Lajm ne përditësim…