Kritiku i Putinit dënohet me 25 vjet burg/ Vladimir Kara-Murza u akuzua për tradhëti

 

Kritiku i Kremlinit, Vladimir Kara-Murza është  dënuar me 25 vjet burg nga një gjykatë në Moskë, dënimi më i ashpër i këtij lloji që kur Rusia pushtoi Ukrainën. Ai akuzohet për tradhti dhe vepra të tjera në një gjyq që sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut  ishte i motivuar politikisht. Kara-Murza, 41 vjeç, baba i tre fëmijëve dhe një politikan opozitar me dy nënshtetësi atë ruse dhe britanike, foli kundër Presidentit Vladimir Putin për vite me radhë dhe loboi tek qeveritë perëndimore për të vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe rusëve për shkelje të supozuara të të drejtave të njeriut.

Prokurorët e kishin akuzuar atë për tradhti, mes veprave të tjera, dhe për diskreditim të ushtrisë ruse pas përhapjes së informacioneve të rreme me vetëdije. Dënimi i tij ishte dënimi më i ashpër ndaj një kritiku të Kremlinit që kur Putin erdhi në pushtet në vitin 1999. Në një intervistë për CNN të transmetuar disa orë përpara arrestimit të tij, Kara-Murza, shtëpia e familjes së të cilit është në Uashington dhe që ishte kthyer në Moskë për të bërë fushatë kundër luftës, pretendoi se Rusia drejtohej nga një regjim vrasësish.

Ai kishte përdorur gjithashtu fjalime në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë për të akuzuar Rusinë për bombardimin e civilëve në Ukrainë, një akuzë që Moska e ka hedhur poshtë. Pasi dëgjoi se ishte urdhëruar të kalonte çerek shekullin e ardhshëm në një koloni penale të sigurisë maksimale, Kara-Murza, i cili kishte dëgjuar me qetësi procedurat brenda një kafazi xhami, deklaroi “Rusia do të jetë e lirë”.

Në fjalimin e tij të fundit në gjykatë javën e kaluar, Kara-Murza e krahasoi gjyqin e tij, të mbajtur me dyer të mbyllura, me gjyqet e Josef Stalinit në vitet 1930. Ai nuk pranoi të kërkojë nga gjykata që ta lirojë atë, duke thënë se ishte krenar për gjithçka që kishte thënë dhe bërë.

Ambasadorja britanike Deborah Bronnert deklaroi se Kara-Murza ishte ndëshkuar pasi kishte folur me guxim kundër luftës së Rusisë në Ukrainë dhe kërkoi lirimin e tij, ndërsa  ambasadorja e SHBA Lynne Tracy, u shpreh se dënimi i Kara-Murza ishte një përpjekje për të heshtur. Dy herë, në 2015 dhe 2017, Kara-Murza u sëmur papritur në atë që ai tha se ishin helmime nga shërbimet ruse të sigurisë, në të dyja rastet duke rënë në koma dhe në atë kohë autoritetet ruse mohuan përfshirjen në ato incidente.