Krimi në shkollën në Finlandë ishte i planifikuar paraprakisht
Një djalë 12-vjeçar i akuzuar për vrasjen e një dhe plagosjen e dy nxënësve në një shkollë në Finlandë e kishte planifikuar sulmin paraprakisht, tha policia finlandeze. Gjithashtu policia ka bërë me dije se kjo është përcaktuar në bazë të të dhënave të gjetura në pajisjet elektronike që i kanë sekuestruar të dyshuarit.
“Hetimi paraprak ka gjetur prova që tregojnë se akti ishte i planifikuar”, tha policia në një deklaratë, Po ashtu policia tha se ka një kuptim paraprak se si i dyshuari 12-vjeçar ka marrë armën, e cila i përkiste një të afërmi të tij, por hetimet janë ende në vazhdim.
Mediat finlandeze raportuan më parë se i dyshuari ishte viktimë e bullizmit në shkollë dhe se motivi i sulmit lidhej drejtpërdrejt me dhunën që ai pësoi në shkollë. Një djalë 12-vjeçar mbeti i vrarë nga të shtënat me armë zjarri në shkollën Viertola në qytetin Vantaa të martën, ndërsa dy vajza të plagosura u transferuan në spital në gjendje të rëndë.
“Sulmuesi u kap në Siltamaki, një periferi të Helsinkit, dhe nuk i rezistoi arrestimit“, tha më herët policia.