Kremlini: Perëndimi të plotësojë disa kushte që marrëveshja e drithrave të zgjasë përtej 18 majit
Rusia ka lëshuar një paralajmërim të ri te Perëndimi lidhur me marrëveshjen e drithërave me Ukrainën, duke thënë se duhet të plotësohen disa kushte që Moska ta zgjasë këtë marrëveshje përtej datës 18 maj.
E negociuar në korrik të vitit të kaluar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, marrëveshja ka mundësuar një korridor të sigurt për dërgesat me drithëra ukrainase, që transportohen nga portet në Detin e Zi. Këto porte, paraprakisht kishin qenë të bllokuara për shkak të pushtimit rus të Ukrainës. Ministria e Jashtme e Rusisë tha se është e vështirë të flitet edhe për një zgjatje tjetër të nismës së Detit të Zi përtej datës 18 maj nëse Moska nuk sheh asnjë përparim.
Ndaj eksporteve ushqimore dhe të plehrave artificiale të Rusisë nuk ka sanksione, por pengesat krijohen për shkak të sanksioneve që janë vendosur ndaj kompanive të sigurimit, bankave, por edhe të transportuesve.
Ministria e Jashtme ruse ka paraqitur një sërë kushtesh për zgjatjen e marrëveshjes. Në mesin e kushteve është që Banka Bujqësore ruse, Rosselkhozbank, të rifutet në sistemin ndërkombëtar të pagesave, SWIFT. Po ashtu, Rusia ka kërkuar që të rinisin furnizimet me makinerinë për bujqësi, pjesë shtesë dhe shërbime të tjera.
Për më tepër, Rusia po ashtu ka kërkuar që të hiqen kufizimet për qasjen në porte si dhe sanksionet ndaj kompanive që janë të lidhura me prodhimin dhe transportin e produkteve ushqimore dhe plehrave artificiale.