Koreja e Veriut teston për herë të parë një raketë balistike ndërkontinentale

 

Koreja e Veriut ka testuar për herë të parë një raketë balistike ndërkontinentale me rreze të gjatë veprimi, që operon përmes lëndëve djegëse të ngurta. Këto lloje raketash janë më të fuqishme dhe më vështirë detektohen.

Agjencia Qendrore e Lajmeve Koreane (KCNA) lëshoi njoftimin një ditë pasi fqinjët e Veriut detektuan lëshimin e një rakete me rreze të gjatë veprimi nga afërsia e Phenjanit. Që nga fillimi i vitit 2022, Koreja e Veriut ka lëshuar në det mbi 100 raketa.

Testimi  nuk ka treguar të gjithë kapacitetin e armës së re dhe është ende e paqartë se sa larg ka shkuar Koreja e Veriut sa i përket teknologjisë për raketat që mund të bartin koka bërthamore. Megjithatë, analistët kanë thënë se testimi i kësaj rakete paraqet një përparim të rëndësishëm drejt qëllimit të Koresë së Veriut për të ndërtuar arsenalin bërthamor që do të mund të kërcënonte direkt SHBA-në.

KCNA tha se testimi i raketës është mbikëqyrur nga lideri verikorean, Kim Jong Un, i cili e përshkroi raketën  të emëruar Hwasong-18  si armën më të fuqishme të forcave të tij bërthamore, që do të rrisë aftësitë kundërsulmuese në dritë të kërcënimeve të jashtme të krijuara nga aktivitetet ushtarake të SHBA-së dhe aleatëve të saj në rajon.

Kim është zotuar se do të zgjerojë edhe më tej arsenalin e tij bërthamor “për të krijuar vazhdimisht ankth dhe tmerr” te kundërshtarët e tij, në mënyrë që ata, sipas liderit verikorean, të pendohen për zgjedhjet e tyre të gabuara. Që nga viti 2017, Koreja e Veriut ka testuar raketa të ndryshme ndërkontinentale për të shfaqur forcën dhe aftësinë potenciale për të goditur shtetet tjera. Por, të gjitha këto raketa kanë qenë me lëndë djegëse të lëngshme, që marrin më shumë kohë për t’u lëshuar.