Koreja e Veriut lëshon raketën përbindësh Hwasong-17
Koreja e Veriut ka deklaruar se lëshimi i një rakete balistike ndërkontinentale një ditë më parë ishte në përgjigje të stërvitjeve të ushtrive amerikane dhe koreanojugore që kanë filluar këtë javë.
Fotot e publikuara të premten nga media shtetërore tregonin udhëheqësin koreanoverior Kim Jong Un, së bashku me vajzën e tij, duke ndjekur nisjen e asaj që Koreja e Veriut tha se ishte një raketë ndërkontinentale balistike Hwasong-17. Koreja e Veriut e bëri nisjen stërvitore në përgjigje të “stërvitjeve luftarake në shkallë të gjerë dhe agresive të Shteteve të Bashkuara dhe të tradhtarëve kukulla koreanojugorë”, deklaroi Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve, organ zyrtar mediatik i Koresë së Veriut.
“Do t’i bëjmë ta kuptojnë vetë se sa më tej të zgjaten dhe zgjerohen manovrat e tyre ushtarake kundër DPRK-së, aq më serioz do të jetë kërcënimi i pakthyeshëm për ta”, u citua të thoshte udhëheqësi Kim, duke përdorur akronimin për emrin zyrtar të Koresë së Veriut.
Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut janë duke bërë një stërvitjeje të madhe të përbashkët ushtarake që zgjat 11 ditë, dhe e cila përfshin stërvitjet më të mëdha në terren të aleatëve në pesë vitet e fundit. Stërvitjet u shtuan gjatë vitit të kaluar, pasi Koreja e Veriut lëshoi një numër rekord raketash. Ndërsa Koreja e Veriut këmbëngul se lëshimi i saj më i fundit ishte një përgjigje ndaj stërvitjeve, në realitet ajo ka lëshuar raketa, përfshirë ato ndërkontinentale, në një nivel të intensifikuar prej më shumë se një viti.
Në vitin 2022, Koreja e Veriut lëshoi më shumë se 90 raketa, ky është deri më tani numri më i lartë i raketave të nisura ndonjëherë në një vit të vetëm. Në fillim të nëntorit, ajo lëshoi 23 raketa në një ditë të vetme. Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut kanë paralajmëruar prej muajsh se Koreja e Veriut ka përfunduar përgatitjet për një tjetër provë bërthamore, e cila do të ishte e shtata që nga viti 2006.