Kombet e Bashkuara: Një numër i madh fëmijësh po vdesin në konflikt
Kombet e Bashkuara paralajmëruan se një numër i madh fëmijësh po vdesin në konfliktin e Sudanit, duke vënë në dukje raportet që tregojnë se shtatë fëmijë vriten ose plagosen çdo orë.
“Siç u frikësuam dhe siç paralajmërohej, situata në Sudan është bërë fatale për një numër të madh fëmijësh,” u tha gazetarëve në Gjenevë, James Elder, zëdhënës i agjencisë së OKB-së për fëmijë, UNICEF.
Ai tha se agjencia ka marrë raporte nga një partner i besuar – ende i pa verifikuar në mënyrë të pavarur nga OKB-ja- se 190 fëmijë u vranë dhe 1.700 u plagosën vetëm në 11 ditët e para të konfliktit që filloi më 15 prill. Elder vuri në dukje se ata numra janë mbledhur nga institucionet shëndetësore në Kartum dhe rajonin e Darfurit. Qindra njerëz janë vrarë dhe qindra mijëra janë larguar nga shtëpitë e tyre në Sudan që nga fillimi i betejave tri javë më parë midis forcave të shefit të ushtrisë, Abdel Fattah al-Burhan dhe Forcave të Reagimit të Shpejtë (RSF) të ish- zëvendësit të tij, Mohamed Hamdan Daglo.
Palët kanë rënë dakord për një varg armëpushimesh të shkurtra, por asnjëra nuk është respektuar plotësisht dhe të premten sulmet ajrore dhe të shtënat me armë vazhduan të tronditin Kartumin për ditën e 21 me radhë. Agjencia e OKB-së për refugjatët dënoi gjithashtu situatën e rëndë në Sudan, duke u kërkuar të gjitha vendeve që të përmbahen nga kthimi i shtetasve sudanezë në vend.
UNHCR ka thënë se po përgatitet për një largim të 860.000 njerëzve nga Sudani në vendet fqinje, me më shumë se 113.000 njerëz që janë larguar tashmë nga vendi.