Kina mund të kryejë sulme kibernetike në Tajvan/ Ekspertët: Pasoja katastrofike në Perëndim

Një sulm kinez ndaj Tajvanit do të shoqërohet me sulme masive kibernetike ndaj Perëndimit dhe Shteteve të Bashkuara, ka bërë të ditur një zyrtare e lartë amerikane për sigurinë kibernetike.

Drejtorja e Agjencisë për Sigurinë Kibernetike dhe Infrastrukturën, Jen Easterly, ka deklaruar se Uashingtoni dhe vendet aleate duhet të përgatiten se Kina do të krijojë panik dhe kaos në hapësirën kibernetike.

“Një skenar sulmesh ndaj infrastrukturës jetike në rast të një sulmi kinez në Tajvan fatkeqësisht nuk është i ekzagjeruar”,  u shpreh Easterly audiencës në Universitetin Carnegie Mellon, në Pitsburg.

Sulmi mund të gërshetohet shumë mirë me shpërthime në disa tubacione gazsjellëse, me ndotjen masive të sistemeve tona ujore, me ndërhyrjen në sistemet tona të telekomunikacioneve, me dëmtimin e qendrave tona të transportit”, shtoi ajo.

Agjencitë amerikane të zbulimit dhe zyrtarët e mbrojtjes kanë paralajmëruar se Kina po përgatit planet për të marrë Tajvanin me forcë brenda vitit 2027. Megjithatë, zyrtarja më e lartë e zbulimit në Uashington tha më herët këtë muaj se nuk ka tregues se Pekini dëshiron t’i vërë në jetë këto plane.

“Vlerësojmë se Kina vazhdon të preferojë një bashkim paqësor me Tajvanin”, tha Drejtorja e Zbulimit Kombëtar, Avril Haines, gjatë një aktiviteti në Nju Jork këtë muaj.

Easterly paralajmëroi se preferenca e mundshme e Pekinit për agresionin, dhe gatishmëria e mundshme për të goditur në hapësirën kibernetike, vijnë për shkak të perceptimit gjithnjë e më të zymtë të drejtuesve kinezë për “gabimet e pafundme” të Rusisë në Ukrainë.

Megjithë shqetësimet domethënëse gjatë javëve dhe muajve përpara se forcat ruse të sulmonin Ukrainën vitin e kaluar, Moska deri më tani ka shmangur sulmet madhore kibernetike ndaj Perëndimit, duke u përqëndruar më së shumti tek aktivitetet kibernetike ndaj Ukrainës dhe objektivave ukrainase.