Kina dërgon 43 avionë ushtarakë pranë ishullit të Tajvanit

Tajvani njoftoi të mërkurën se Kina dërgoi 43 avionë ushtarakë dhe shtatë anije pranë ishullit, sipas deklaratës së Ministrisë së Mbrojtjes.

Por sipas njoftimit, 37 avionë kanë kaluar vijën e demarkacionit. Këtë muaj, ministri i mbrojtjes i Tajvanit tha se Kina kishte rritur “frikësimin ushtarak” këtë vit duke fluturuar një numër të shtuar avionësh luftarakë rreth ishullit dhe duke përshpejtuar vendosjen e raketave balistike.

Gjatë vitit të kaluar, Pekini ka rritur aktivitetet ushtarake rreth Tajvanit, të cilin e konsideron territorin e tij.

Në shtator, Kina dërgoi 103 aeroplanë rreth Tajvanit brenda një periudhe 24-orëshe, të cilën Taipei e përshkroi si “një nivel i lartë i kohëve të fundit”. Ministria tha në atë kohë se “ngacmimi i vazhdueshëm ushtarak i Pekinit mund të çojë lehtësisht në një përshkallëzim të mprehtë të tensionit dhe të përkeqësojë sigurinë rajonale”.

Në prill, Pekini kreu stërvitje ushtarake për të simuluar rrethimin e ishullit, pasi presidenti i Tajvanit Tsai Ing-wen u takua me Kevin McCarthy, kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA në atë kohë, në Kaliforni.