Këshilli i Evropës dënon arrestimin e kryebashkiakut të Stambollit: Presion ndaj një figure politike

Këshilli i Evropës ka dënuar ashpër arrestimin e kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem İmamoğlu, duke e cilësuar këtë veprim si një masë që shkon kundër vullnetit të popullit.

Në një deklaratë, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës theksoi se arrestimi i İmamoğlu “mbart të gjitha shenjat e presionit ndaj një figure politike” dhe njoftoi se çështja do të diskutohet në një seancë javën e ardhshme.

İmamoğlu, një nga kundërshtarët kryesorë politikë të presidentit Recep Tayyip Erdoğan, u arrestua me akuzat për korrupsion dhe lidhje me organizata kriminale. Arrestimi i tij vjen në një moment kritik, pasi ai shihej si një kandidat potencial për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.

Ky veprim ka shkaktuar reagime të ashpra nga opozita, e cila e ka cilësuar arrestimin si një “grusht shteti” kundër demokracisë. Gjithashtu, ka pasur ndikime edhe në tregjet financiare turke, me lirën që pësoi një rënie të ndjeshme dhe bursën e Stambollit që shënoi humbje të mëdha.

Për të parandaluar protestat, autoritetet kanë vendosur kufizime në rrjetet sociale dhe kanë ndaluar grumbullimet publike në Stamboll për katër ditë. Ndërkohë, organizatat ndërkombëtare kanë shprehur shqetësimin e tyre për këtë veprim, duke e konsideruar atë si një përpjekje për të shtypur opozitën dhe për të dobësuar proceset demokratike në vend.