Ka mbështetjen e SHBA, por ky shtet do e pengojë Mark Rutte në rrugën si sekretar i NATO-s

Hungaria shprehu mosmarrëveshjen e saj të martën me mundësinë që kryeministri holandez Mark Rutte të marrë postin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, duke pasuar Jens Stoltenberg, një post me rëndësi kritike mes luftës në Ukrainë.

“Ne nuk mund të mbështesim pa mëdyshje kandidaturën e një sekretari të përgjithshëm i cili në të kaluarën donte të gjunjëzonte Hungarinë”, tha Ministri i Jashtëm Peter Szijjártó në një konferencë shtypi në Budapest. “Do të ishte e papritur nga ne”, shtoi ai.

Mark Rutte ka kritikuar vazhdimisht gjendjen e shtetit ligjor në Hungarinë e kryeministrit nacionalist Viktor Orban në vitet e fundit. Në vitin 2021, i zemëruar nga një ligj hungarez që ai e konsideronte homofobik, ai tha se Hungaria “nuk ka më vend në Bashkimin Evropian” dhe nëse vlerat e BE-së nuk i përshtateshin atij, Orban nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të nxiste nenin 50 të Traktatit dhe të largohej nga blloku.

Emri i kryeministrit në largim të Holandës po dëgjohet gjithnjë e më shumë së fundmi për postin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s. Për emërimin e tij, megjithatë, kërkohet unanimiteti i vendeve anëtare. 57-vjeçari Rutte mbështetet nga SHBA, Gjermania dhe Britania.

Ai njoftoi vitin e kaluar se synon të tërhiqet nga politika holandeze, por do të qëndrojë në postin e tij deri në formimin e një qeverie të re. Negociatat mes palëve vazhdojnë pas zgjedhjeve të nëntorit, të cilat u fituan nga e djathta ekstreme, Geert Wilders. Orban atëherë kishte përshëndetur “erën e ndryshimit” në Holandë.