“Jeta në tokë do të zhduket”, Musk tregon planet për zhvendosjen në Mars: Mundësia më e mirë që kemi për të…
Elon Musk, themeluesi i SpaceX dhe Tesla, ka bërë një tjetër deklaratë të çuditshme duke shprehur dëshirën e tij për të vdekur në Mars, duke theksuar se kjo është mundësia më e mirë për të siguruar mbijetesën e njerëzimit.
Musk ka folur për herë të parë mbi këtë dëshirë në vitin 2013 dhe, më shumë se një dekadë më vonë, ai mbetet i vendosur për ta realizuar atë. Sipas tij, dielli është duke u zgjeruar dhe, pas disa qindra milionë vjetësh, Toka do të bëhet e pabanuar. Ai thotë se udhëtimi në hapësirë është një nga mënyrat kryesore për të siguruar mbijetesën e njerëzimit.
“Dielli po zgjerohet gradualisht dhe pas 500 milionë vjetësh, mundësisht një miliardë, oqeanet do të vlojnë dhe nuk do të ketë jetë të rëndësishme në Tokë. Ndoshta disa bakterie që mund të mbijetojnë në temperatura shumë të larta, por asgjë që mund të ndërtojë raketa,” tha Musk.
Ai shtoi se udhëtimi në hapësirë është mundësia më e mirë për të ruajtur jetën e njerëzimit. SpaceX, sipas njoftimeve, planifikon të dërgojë raketën Starship drejt Marsit deri në fund të vitit të ardhshëm, me robotin humanoid të Teslës, Optimus, që do të jetë ndër pasagjerët e parë. Nëse ky mision ka sukses, Musk shpreson që njerëzit mund të arrijnë të ulen në Mars deri në vitet 2029-2031.
Megjithatë, Musk e ka pranuar se jeta në Mars do të jetë një sfidë e madhe. Pa oksigjen, me temperatura ekstreme dhe rrezatim të dëmshëm, ai e ka cilësuar atë si një “kurth vdekjeprurës”. “Është një udhëtim i gjatë dhe mund të mos kthehesh gjallë,” tha ai, duke pranuar vështirësitë e këtij plani ambicioz.