Itali: Emigrantët paguanin 8000 euro për udhëtimin në Europë

Ekipet italiane e shpëtimit nxorrën më shumë trupa nga deti, duke e çuar numrin e të vdekurve nga tragjedia e fundit në 67.

Mediat shkruajnë se emigrantët iu jepnin kontrabandistëve 8 mijë euro për të kryer udhëtimin nga Turqia në Itali. Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi kundërshtoi sugjerimet se shpëtimi ishte vonuar ose ndikuar nga politika e qeverisë që dekurajonte grupet e ndihmës që të qëndronin në det për të shpëtuar emigrantët.

Familjarët e njerëzve që humbën jetën kanë udhëtuar për në qytetin kalabrez të Crotone, ku arkivolet e viktimave janë vendosur në një sallë sportive. Të afërmit, disa prej të cilëve kishin ardhur nga Gjermania, Austria dhe Holanda  vende ku anëtarët e familjeve të tyre kishin shpresuar të bashkoheshin me ta shpërthyen në lot përpara trupave të tyre.

“Unë jam duke kërkuar për tezen time dhe tre fëmijët e saj,” tha njëri prej familjarëve duke shtuar se udhëtoi 25 orë nga Gjermania për të arritur në morgun e improvizuar të ngritur në një stadium sportiv. 

Njëzet e tetë nga njerëzit që vdiqën pasi varka prej druri në të cilën ndodheshin u mbyt në brigjet e Steccato di Cutro janë identifikuar zyrtarisht. Arkivolet e tyre ishin të shënuara me emrat dhe moshat e tyre, ndërsa ka ende shumë trupa të pa identifikuar. Tetëdhjetë persona, nga të cilët 22 vijojnë të jenë në spital, besojnë se deri në 200 mund të kenë qenë në bordin e anijes. E quajtur Summer Love, anija ishte nisur nga Turqia dhe transportonte njerëz nga vende si Pakistani, Afganistani, Siria, Irani dhe Iraku.

Tre kontrabandistë të dyshuar njerëzish janë arrestuar pas mbytjes së anijes, ndërsa polemika po rritet në Itali nëse mund të ishte bërë më shumë për ta parandaluar atë.