“Ishin demonë”/ Vrau dy fëmijët e saj me tortura çnjerëzore, nëna monstër nuk shpreh asnjë pendim
Po bëhen gati 10 vite nga dita kur Mitchelle Blair, një nënë nga Detroit, SHBA, u dënua me burgim të përjetshëm për krime monstruoze ndaj dy prej katër fëmijëve të saj. Ajo torturoi dhe vrau të birin 9-vjeçar dhe më pas vajzën 13-vjeçare, duke i ruajtur trupat e tyre për vite me radhë në një frigorifer brenda apartamentit të saj, të cilin autoritetet më pas e cilësuan si një “shtëpi tmerri”.
Blair, e cila u deklarua fajtore për dy akuza për vrasje me paramendim dhe një për torturë, nuk shfaqi asnjë shenjë pendese në sallën e gjyqit, duke deklaruar: “Nuk ndjej fare keqardhje për vdekjen e atyre demonëve.”
Ngjarja tronditëse u zbulua më 24 mars 2015, kur punonjës të një kompanie ndihmëse hynë në apartamentin e saj për ta nxjerrë me urdhër të gjykatës, për shkak të mospagesës së qirasë. Aty, ata zbuluan trupat e Stoni Blair, 13 vjeçe, dhe Stephen Berry, 9 vjeç, të fshehur në një frigorifer të bardhë në dhomën e ndenjës.
Hetimet zbuluan se fëmijët kishin vdekur vite më parë: Stephen ishte vrarë në gusht të vitit 2012 dhe Stoni në maj të vitit 2013.
Stephen u torturua për dy javë: Blair i hodhi ujë të nxehtë mbi organet gjenitale, e rrahu brutalisht, e mbyti me rrip, e detyroi të pinte lëng pastrues “Windex”, dhe më pas i vendosi një qese plastike në kokë derisa humbi ndjenjat.
Pothuaj nëntë muaj më vonë, Mitchelle vrau Stonin, me arsyetimin se ajo kishte thënë që nuk i pëlqenin vëllezërit e saj. Blair e mbyti vajzën me një bluzë të zezë dhe më pas e asfiksoi me një qese plastike. Ajo e detyroi vajzën tjetër, 17-vjeçare, të vendoste trupin e pajetë të Stonit në frigorifer, pranë trupit të Stephen.
Sipas dëshmive, Blair i kishte abuzuar fizikisht fëmijët për vite me radhë, duke i djegur me hekur rrobash dhe duke i goditur me objekte të forta. Djali i saj i mbijetuar raportoi më vonë se ishte goditur me kordë elektrike dhe se motra ishte rrahur me çekiç.
Pak para arrestimit, Mitchelle shkruajti në Facebook: “Nuk ka bekim më të madh sesa të quhesh Nënë.” Edhe në gjyq, ajo mbrojti veprimet e saj, duke pretenduar se kishte vrarë fëmijët sepse dyshonte se ata kishin abuzuar seksualisht me djalin më të vogël – një akuzë që nuk u provua kurrë dhe për të cilën ajo nuk kishte kontaktuar asnjëherë autoritetet.
Në korrik 2015, ajo u dënua me burgim të përjetshëm pa të drejtë lirimi nga Gjykata e Qarkut Wayne. Gjyqtarja Dana Hathaway deklaroi në seancë:
“Ju krijuat një shtëpi tmerri. Fëmijët tuaj jetuan në frikë të vazhdueshme prej jush. Më e dhimbshmja është se ju vetë zbatuat dënimin me vdekje ndaj fëmijëve tuaj.”
Blair aktualisht po vuan dënimin në burgun “Women’s Huron Valley Correctional Facility” në Ypsilanti. Ajo është përfshirë në disa incidente të dhunshme brenda qelisë, përfshirë një rast ku hodhi jashtëqitje dhe urinë me kanaçe Pringles në fytyrën e një oficeri burgu, si dhe incidente të tjera të ngjashme ndaj personelit.