Ish-presidenti  i Brazilit Jair Bolsonaro kthehet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës

 

Ish-presidenti  i Brazilit, Jair Bolsonaro, është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës . Ai u prit nga qindra përkrahës në aeroportin e kryeqytetit brazilian, Brazilia, për ta mirëpritur atë pas tre muajve azil të vetë-imponuar.

Zyrtarë të partisë së tij, Partisë Liberale, thanë se Bolsonaro, i cili nuk e pranoi humbjen në zgjedhjet e vitit të kaluar, pritet ta drejtojë opozitën ndaj presidentit majtist, Luiz Inacio Lula da Silva. Disa analistë kanë theksuar se gjatë mungesës së tij tre-mujore, politikanë të tjerë konservativë janë shfaqur në sferën politike të Brazilit.

Kjo është herë e parë që Bolsonaro është kthyer në vendlindjen e tij që kur përkrahësit e tij sulmuan ndërtesat qeveritare në Brazilia më 8 janar. Ai është nën hetime për rolin e tij në nxitjen e këtij sulmi. Lula e kishte mposhtur me rezultat të ngushtë Bolsonaron në zgjedhjet presidenciale të 30 tetorit të vitit të kaluar. Njëjtë si Bolsonare, edhe shumë përkrahës të tij nuk e kishin pranuar rezultatin dhe ishin grumbulluar para kazermave të ushtrisë me shpresën se ushtria do ta rrëzonte presidentin e sapozgjedhur.

Por, institucionet braziliane, përfshirë këtu edhe ushtrinë, e pranuan rezultatin e zgjedhjeve dhe kalimin e presidencës te Lula. Pas kësaj, Bolsonaro nuk u shfaq shumë në publik, por mbështetësit e tij nuk ishin të qetë. Ata sulmuan ndërtesat kryesore qeveritare në Brasilia vetëm një javë pasi Lula mori pushtetin dhe më shumë se 1.500 njerëz ishin arrestuar. Edhe pse Bolsonaro ishte në Florida kur ndodhi ky incident, hetuesit argumentojnë se retorika e tij – duke mos e pranuar vlefshmërinë e rezultatit të zgjedhjeve dhe duke thënë se vetëm zoti apo vdekja do ta largonte nga karrigia  i kishte nxitur protestuesit.