Ish-kryeministri italian Giuseppe Conte, dhe ish-ministri i shëndetësisë Roberto Speranza do të merren në pyetje nga një gjykatë në Brescia më 10 maj.Ata janë nën hetim për mënyrën sesi e menaxhuan fazën e parë të pandemisë së Covid-19 në shkurt të 2020.
Mbi Conten dhe Speranzën rëndojnë akuzat si vrasje e shumëfishtë,rëndim i situatës shëndetësore, refuzim i dokumenteve zyrtare dhe falsifikim i tyre.Në qendër të hetimeve është vendimi i qeverisë për të mos vendosur në kohë masat e izolimit, në dy qytete në rajonin e Lombardisë. Ky rajon më pas u bë një nga epiqendrat e shpërthimit të koronavirusit në Itali.
“Do të ishin shmangur 4000 vdekje”, është ajo cfarë theksohet në dosjen e prokurorisë.
Mjekët dhe virologët kanë bërë të ditur më herët se vonesa me dy javë, për vendosjen e masave izoluese në Alzano dhe Nembro ndihmoi që virusi të përhapej me shpejtësi. Të afërmit e viktimave nga Covid-19 kanë ngritur rreth 50 padi, sepse dyshojnë për gabime administrative. Ata besojnë se shumë jetë mund të ishin shpëtuar nëse qeveria në Romë do të kishte reaguar më shpejt.