Irani kërcënon SHBA: 50 mijë ushtarë do të kthehen me arkivole drejt Uashingtonit!

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit kanë arritur kulmin pas sulmeve ajrore të urdhëruara nga presidenti Donald Trump mbi tri objekte bërthamore iraniane. Si kundërpërgjigje, një zëdhënës iranian, Mehdi Khanalizadeh, deklaroi në televizionin shtetëror se:

“50 mijë ushtarë amerikanë do të kthehen me arkivole drejt Uashingtonit. Presidenti amerikan zgjodhi që t’i pranojë arkivolet e 50 mijë ushtarëve në Shtëpinë e Bardhë.”

Irani e cilësoi përfshirjen e SHBA-së në konfliktin me Izraelin si një përshkallëzim të rrezikshëm dhe paralajmëroi se do të zgjerojë listën e objektivave “të ligjshëm” për sulm. Autoritetet iraniane paralajmëruan se “pasojat do të jenë të rënda”.

Vetëm disa orë më parë, Irani lëshoi disa raketa drejt bazës amerikane Al Udeid në Katar, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikane mbi objektivat bërthamore iraniane. Autoritetet e Katarit dhe SHBA-së konfirmuan se raketat u interceptuan dhe nuk pati dëmtime apo viktima.

Ndërkohë, presidenti Trump, përmes një postimi në Truth Social, theksoi:

“Është shkaktuar dëm i jashtëzakonshëm në të gjitha objektet bërthamore iraniane, siç dëshmojnë imazhet satelitore. Shkatërrim është termi i saktë.”

Nga ana tjetër, kryeministri britanik Keir Starmer mbështeti sulmin amerikan, duke theksuar:

“Programi bërthamor i Iranit është një kërcënim serioz për sigurinë ndërkombëtare dhe Irani nuk duhet të lejohet kurrë të zhvillojë armë bërthamore.”

Edhe pse Britania nuk mori pjesë drejtpërdrejt në sulm, qeveria britanike ishte në dijeni të planeve të Trump përpara se ato të ndodhnin.