Irani akuza të forta OKB-së: Agjencia bërthamore po vepron si partner i Izraelit

Irani ka lëshuar akuza të ashpra ndaj Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), duke e cilësuar organin mbikëqyrës bërthamor të OKB-së si një “partner” në luftën e agresionit të Izraelit. Reagimi i Teheranit erdhi pas një raporti të IAEA-së, i cili e akuzon Iranin për mosrespektim të detyrimeve në kuadër të programit të tij bërthamor, raport që u përgatit përpara shpërthimit të konfliktit të armatosur mes Iranit dhe Izraelit.

“Narrativat mashtruese kanë pasoja të tmerrshme, z. Grossi, dhe kërkojnë llogaridhënie. Ju tradhtuat regjimin e mospërhapjes; ju e keni bërë IAEA-n partner në këtë luftë të padrejtë agresioni”, shkroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, në një postim në rrjetin social X, duke iu drejtuar kreut të IAEA-së, Rafael Grossi.