Inteligjenca amerikane: Serbia ka armatosur Ukrainën

 

Serbia, i vetmi vend në Evropë që ka refuzuar të sanksionojë Rusinë për pushtimin e saj në Ukrainë, ra dakord të furnizojë me armë Kievit ose i ka dërguar ato tashmë, sipas një dokumenti të klasifikuar të Pentagonit. Dokumenti, një përmbledhje e përgjigjeve të qeverive evropiane ndaj kërkesave të Ukrainës për trajnime ushtarake dhe armë, ishte midis dhjetëra dokumenteve të klasifikuara të postuara në internet javët e fundit në atë që mund të jetë rrjedhja më serioze e sekreteve amerikane në vite.

I titulluar “Evropa, Përgjigja ndaj konfliktit të vazhdueshëm Rusi-Ukrainë”, dokumenti në formën e grafikut rendit “pozicionet e vlerësuara” të 38 qeverive evropiane në përgjigje të kërkesave të Ukrainës për ndihmë ushtarake. Grafiku tregoi se Serbia refuzoi të ofronte trajnime për forcat ukrainase, por ishte zotuar të dërgonte armë. Ndër të tjera thuhet se Serbia kishte vullnetin politik dhe aftësinë ushtarake për t’i ofruar armë Ukrainës në të ardhmen.

Dokumenti është shënuar me titullin Top Sekret duke ndaluar shpërndarjen e tij për shërbimet e huaja të inteligjencës dhe ushtritë. Ajo mban datën 2 mars dhe është e stampuar me vulën e zyrës së Shefit të Shtabit të Përbashkët. Zyra e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe ambasada e Ukrainës nuk ka bërë asnjë reagim deri më tani në lidhje me këtë document. Qeveria e Vuçiqit ka deklaruar neutralitet në luftën e Ukrainës, pavarësisht lidhjeve të thella historike, ekonomike dhe kulturore të vendit me Rusinë. “Nëse ky dokument është i saktë, ai ose tregon dyfytyrësinë e Vuçiqit ndaj Rusisë ose ai është nën presion të madh nga Uashingtoni për të dorëzuar armë në Ukrainë,” tha Janusz Bugajski, një ekspert i Evropës Lindore me Fondacionin Jamestoën.

Departamenti i Drejtësisë po heton rrjedhjen, ndërsa Pentagoni po vlerëson dëmin e shkaktuar në sigurinë kombëtare të SHBA. Austria dhe Malta ishin të vetmet dy vende të cilat nuk kanë dërguar armë në Ukrainë apo trajnime në fushën e betejës.

Zbulimi i grafikut vjen pak më shumë se një muaj pasi dokumentet e postuara në një kanal pro-rus në aplikacionin global të mesazheve Telegram treguan dërgesën nga një prodhues serb i raketave Grad 122 mm tokë-tokë në Kiev në nëntor të vitit të kaluar.  Prodhuesi i armëve Krusik Corp mohoi se i ka ofruar raketa ose armë të tjera Ukrainës në atë kohë dhe Vuçiq i cilësoi akuzat një gënjeshtër famëkeqe. Në dokumentet e klasifikuara ndër të tjera zbulohet gjithashtu se SHBA kishte shprehur frikën e saj se Ukraina mund të dështonte në kundërsulmimin e pranverës. Dokumenti ‘tepër sekret’ thuhet se paralajmëron se Kievi po përballet me mangësi në trupa dhe armatime dhe sugjeroi se çdo përfitim në luftë do të ishte modest. Disa nga dokumentet e klasifikuara paralajmërojnë se mbrojtja ajrore e Ukrainës do të reduktohet plotësisht deri më 23 maj, duke sugjeruar se Rusia së shpejti mund të ketë epërsi ajrore dhe Ukraina mund të humbasë aftësinë për të grumbulluar forcat tokësore në një kundërsulm. Nën syrin e zyrtarëve amerikanë, vlerësimi i luftës në Ukrainë tregon se konflikti ka të ngjarë të zvarritet me muaj, nëse jo me vite të tëra.