Home Office nis fushatën reklamuese për të penguar shqiptarët të emigrojnë në Britani
Home Office në Mbretërinë e Bashkuar ka nisur një fushatë reklamuese që synon që shtetasit shqiptarë të mos emigrojnë. Reklamat, do të shfaqen në shqip në Facebook dhe Instagram duke i paralajmëruar shqiptarët se do të përballen me dëbimin e menjëhershëm nëse bëjnë udhëtimin.
Qeveria tha se fushata, duke filluar javën e ardhshme, do t’i bëjë të qarta rreziqet me të cilat përballen emigrantët. Sipas Home Office, Shqipëria është një “vend i sigurt dhe shumë shtetas po udhëtojnë nëpër vende të shumta në Britani. Fushata pason një lëvizje të ngjashme që u zhvillua në mediat sociale nga qeveria në gusht të vitit të kaluar.
“Ne jemi të vendosur të ndalojmë gomonet dhe fushata që nis në Shqipëri këtë javë, është vetëm një komponent i punës së Home Office për të ndihmuar në rrëzimin e miteve rreth udhëtimeve të paligjshme në Britaninë e Madhe, për të shpjeguar realitetet dhe për të luftuar gënjeshtrat e kontrabandistëve që përfitojnë nga kjo tregti e paligjshme“, është shprehur ministri i Emigracionit, Robert Jenrick.
Shqiptarët përbënin numrin më të lartë të njerëzve që aplikonin për azil në Britaninë e Madhe ku deri në mars të këtij viti kishte rreth 13,714 aplikime nga shtetas shqiptarë. Ndërkohë, aktivistët e quajtën formën e reklamimit të pakuptimtë pasi numri i kalimeve në Kanalin e La Manshit mbetet i lartë pavarësisht masave të ngjashme të zbatuara vitin e kaluar.
Tim Naor Hilton, shefi ekzekutiv i Refugee Action, ka deklaruar se kjo është një tjetër fushatë pa baza e që tregon se ministrat refuzojnë të kuptojnë se një pakicë e vogël refugjatësh në botë kanë arsye nga më të ndryshmet për të ardhur në Britaninë e Madhe.
Fushata pason projektligjin e qeverisë për migrimin e paligjshëm, i cili synon të dërgojë azilkërkuesit që mbërrijnë në Britani në një vend të tretë siç është Ruanda. Projektligji, aktualisht në Dhomën e Lordëve, është përballur me reagime nga figura publike dhe aktivistë, përfshirë Kryepeshkopin e Canterbury-t, të cilët argumentojnë se ai është edhe i pazbatueshëm dhe moralisht i papranueshëm.