Historike/ Arrihet pas dhjetë vitesh marrëveshja për mbrojtjen e deteve dhe oqeaneve

 

Tashmë shtetet kanë arritur marrëveshjen historike për të mbrojtur oqeanet e botës pas dhjetë vitesh negociata.

Traktati për detin e hapur vendos që deri në vitin 2030, 30 % e deteve të jenë në zona të mbrojtura. Synimi është mbrojtja dhe rikuperimi i natyrës detare. Marrëveshja u arrit pas 38 orësh bisedime në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Negociatat për këtë traktat janë bllokuar për vite të tëra për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me financimin dhe të drejtat e peshkimit.

Një nga pikat kryesore të debatit ishte shpërndarja e fitimeve të mundshme të aktiviteteve të ardhshme ekonomike, u shpreh Ralph Sonntag nga World Future Council. “Pritet që në të ardhmen të zbulohen shumë sekuenca gjenetike që për shembull mund të ndihmojnë në zbulimin e ilaçeve të reja kundër kancerit.” Përveç kësaj mund të bëhen zbulime për lëndë të reja plastike në të ardhmen. Me këtë do të fitohej shumë, tha Sonntag.

Këtë e tregojnë sekuencat gjenetike të marra nga pyjet në Amazonë, që janë përdorur me fitim nga industria e farmaceutikës. Vendet e jugut global nuk kanë përfituar shumë. Fitimin e rrëmbyen koncernet e mëdha të farmaceutikës në SHBA dhe Europë, theksoi Sonntag. Në të ardhmen kjo do të ndryshojë. Vendet anëtare krijuan një mekanizëm kompensimi financiar për vendet më të varfra.

Marrëveshja e fundit ndërkombëtare për mbrojtjen e oqeaneve ishte nënshkruar më 1982. Ajo marrëveshje krijoi zonat e quajtura dete të hapura, ujëra ndërkombëtare ku të gjitha shtetet kanë të drejtë të peshkojnë, të transportojnë dhe të bëjnë kërkime, por vetëm 1.2 për qind e këtyre ujërave janë të mbrojtura.

Në zonat e reja të mbrojtura, sipas traktatit më të fundit, do të ketë kufizime sa i përket peshkimit, rrugëve të kalimit të anijeve dhe aktiviteteve eksploruese, sikurse nxjerrja e mineraleve nga shtrati i detit që gjendet 200 metra apo më poshtë sesa nga sipërfaqja e ujit. Grupet mjedisore kanë shprehur shqetësim se nxjerrja e mineraleve mund të ndikojë në riprodhimin e gjitarëve detarë, të shkaktojë ndotje dhe të jetë e rrezikshme për jetën detare.

 

 

 

 

 

 

Check Also

Plagosi me armë zjarri Lorenc Kostën pasi i zbuloi tradhtinë me bashkëshorten e tij, lihet në burg Erjon Goxhara

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në burg efektivin e policisë Erjon …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *