Harris dhe Trump për Ballkanin, luftë kundër korrupsionit dhe ndikimeve keqdashëse

Kandidatët presidencialë amerikanë thanë se lufta kundër korrupsionit dhe trysnive nga jashtë do të jenë përparësi e administratave të tyre në Ballkanin Perëndimor, ndërsa rajoni synon integrimet evropiane.

Një zëdhënës i fushatës së nënpresidentes Kamala Harris, i tha Zërit të Amerikës se ajo ka mbrojtur vazhdimisht avancimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.

Ndërkaq në një letër drejtuar komunitetit shqiptaro-amerikan në prag të zgjedhjeve, zonja Harris vuri theksin te lidhjet e veçanta ndërmjet amerikanëve dhe shqiptarëve prej më shumë se një shekulli, që nga Konferenca e Paqes në Paris pas Luftës së Parë Botërore.

Ndërkaq Christos Marafatsos, nga fushata e ish Presidentit Donald Trump, i tha Zërit të Amerikës se politika e jashtme e Presidentit Trump ndaj Ballkanit Perëndimor “do të theksonte partneritetet pragmatike, të orientuara nga veprimet e përqendruara në qëndrueshmërinë, mundësitë ekonomike dhe luftimin e korrupsionit”.

Sipas Marafatsos një Shtëpi e Bardhë e udhëhequr nga zoti Trump nuk do të nxiste thjesht deklarata të gjera mbi demokracinë, por do të nxirrte rezultate reale dhe të përgjegjshme duke punuar drejtpërdrejt me udhëheqësit lokalë dhe qytetarët në rajon.

Fushata e Trump kritikoi politikën e Jashtme të administratës së Presidentit Joe Biden për mosveprim dhe mungesë angazhimi për të kuptuar vërtetë sfidat e veçanta të rajonit. Sipas saj, mungesa e angazhimit jo vetëm që ka penguar përparimin ekonomik, por gjithashtu ka bërë që shumë vende të Ballkanit të ndjehen të anashkaluar dhe të pavlerësuar ndërsa tensionet ziejnë.

Vendet e Ballkanit po ndjekin më vëmendje fushatën për zgjedhjet e 5 nëntorit, rezultati i të cilave po pritet me shqetësim nga shumë evropianë, për shkak të ndikimit që mund të kenë në të ardhmen e NATO-s, luftën e Rusisë në Ukrainë, marrëdhëniet tregtare dhe të ardhmen e demokracisë në kontinent.