“Guri gjigant” i planetit Mars do të shitet për çmimin rekord
Copëza më e madhe e një meteoriti marsian e zbuluar në Tokë pritet të shitet në ankand nga Sotheby’s më 16 korrik.
NWA 16788 u zbulua në shkretëtirën e Saharasë në Niger në vitin 2023 dhe peshon plot 24.5 kilogramë. Meteoriti është 70% më i madh se çdo fragment tjetër i ngjashëm nga Marsi dhe ka arritur tashmë një ofertë prej 1.6 milion dollarësh online.
Por “guri gjigant i Marsit” në ankand mund të shitet për 4 milionë dollarë. Ai besohet të jetë përplasur në Tokë pas një goditjeje masive asteroidale në Mars dhe ruan një gjendje të jashtëzakonshme. NWA 16788 ka një gjerësi prej 38 centimetra dhe konsiderohet një nga fragmentet më të paprekura nga planeti i kuq.
Megjithatë, disa shkencëtarë kritikojnë faktin që ky objekt i rrallë nuk është dorëzuar për studime shkencore.