Greqi, përplasje tragjike mes dy trenave / 32 të vdekur 85 të plagosur
Përplasja kokë më kokë midis një treni pasagjerësh me 350 persona në të dhe një treni mallrash ka rezultuar fatale në Greqi.
Të paktën 32 persona kanë humbur jetën dhe 85 mbetën të plagosur kanë bërë të ditur autoritetet.. Shkaku i përplasjes ende po hetohet por nga raportet paraprake dyshohet se të dy trenat kanë udhëtuar në të njëjtat shina gjë që mund të ketë shkaktuar edhe përplasjen.
Përplasja ka ndodhur pak para mesnatës të së martës. Treni i pasagjerëve kryente linjën Selanik – Larisa dhe ishte nisur në orën 19:22. Nga përplasja të tre nga vagonët e tij kanë dalë nga shinat. Përplasja shkaktoi zjarr në disa vagona të pasagjerëve, duke djegur shumë udhëtarë të cilët u dërguan me urgjencë në spitale.
PASAGJER: U bë panik, për dhjetë, pesëmbëdhjetë sekonda ishte kaos, treni u përmbys, disa vagona morën flakë dhe xhamat u thyen. Njërëzit filluan të bërtisnin ndërsa disa të tjerë u hodhën dy metra në rrugë për të shpëtuar. Ishte e tmerrshme.
Guvernatori i rajonit të Thesalisë, Konstantinos Agorastos tha për TV SKAI se katër vagonët e parë të trenit të pasagjerëve u dolën nga shinat, ndërsa dy vagonët e parë, të cilët morën flakë, u shkatërruan pothuajse plotësisht. Transmetuesi SKAI tregon pamjet e vagonëve të dalë nga shinat, të dëmtuara rëndë me xhama të thyer dhe shtëllunga të trasha tymi, si dhe mbeturina të shpërndara nëpër rrugë. Punonjësit e shpëtimit kanë vijuar përgjatë gjithë natës kërkimin për të gjetur pasagjerë të bllokuar.
“Po jetojmë një tragjedi. Po nxjerrim njerëz të gjallë, të plagosur…ka të vdekur. Do të jemi gjithë ditën këtu, derisa të mbarojmë, derisa të gjejmë personin e fundit”, tha një punonjës vullnetar shpëtimi për transmetues shtetëror grek.
Kërkimi ka vijuar edhe këtë mëngjes, ndërsa Kryqi i kuq grek u ka bërë thirrje qytetarëve të dhurojnë gjak. Gjithashtu kryeministri grek Kyriakos Micotaqis do të vizitojë vendin e ngjarjes në mesditë.
Në vitin 1972, 19 njerëz humbën jetën kur dy trena u përplasën kokë më kokë në Larisa. Sistemi hekurudhor i vjetër i Greqisë ka nevojë për modernizim, me shumë trena që udhëtojnë në shina të vetme dhe sisteme sinjalizimi dhe kontrolli automatik ende të vjetër në shumë zona.